martes, 30 de marzo de 2010

Carlos Ernesto Garcia Babai i kronikave poetike-Por Arjola Hekurani

El poeta Carlos Ernesto García en entrevista
TVSH, Albania, marzo 2010







Joven albanesa compartiendo la lectura del libro del poeta
salvadoreño Carlos Ernesto García,
Durrës, Albania, marzo 2010 (1)











Carlos Ernesto Garcia Babai i kronikave poetike
Por Arjola Hekurani

Carlos Ernesto Garcia, poet por edhe gazetar, gjendet në Shqipëri për të promovuar “Unë nuk kam shtëpi”, antologjinë me të cilën i prezantohet publikut shqiptar. Ky vëllim vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Dita 2000” dhe përfaqëson një përmbledhje të marrë nga tre librat: “Derisa kolera të kalbet”, “Një pikënisje për dashurinë” dhe “Valixhja në papafingo”

E pabesueshme duket jeta e këtij poeti. Si në një film janë trazuar ngjarjet që e kanë shoqëruar e që në jo pak raste kanë qenë tragjike. “Ekzekutorët e Vdekjes” e kanë ndjekur prej dekadash, të tjerë, vetëm emri u ndryshon, vazhdojnë t’i venë pas. Carlos Ernesto Garcia, poeti nga El Salvadori, poezinë e konsideron si një mënyrë për të denoncuar gjithë sa i ka ndodhur atij, por edhe popullit të tij. Për herë të parë një poet latino-amerikan vjen në gjuhën shqipe me një antologji e cila titullohet “Unë nuk kam shtëpi”, një titull i huazuar prej titullit të një poeme emblematike, që u shkon për shtat shumë popujve, edhe atij shqiptar gjithashtu. Carlos Ernesto Garcia, poet por edhe gazetar, është quajtur edhe babai i kronikave poetike. E ka në mendje edhe një të tillë për Shqipërinë. Ka nisur të thurë të parat vargje kushtuar vendit tonë: “Ka një vend që ecën/ që godet me forcë diellin për ta zgjuar/kujdes, Shqipëria ecën”.
Ktheheni në Shqipëri për botimin e një antologjie me poezitë tuaja për herë të parë në shqip. Do të shëtisni bashkë me veprën në qytete të ndryshme të vendit tonë. Si ndiheni?

Në vizitat që vijojnë pas së parës, gjithnjë ke përshtypjen se me vendin që po viziton, tashmë ka diçka familjare, që të lejon të thellohesh më shumë në disa aspekte të kulturës së këtij vendi. Përshtypjet e mia të para në Shqipëri ishin shumë emocionuese. Kur kalova për herë të parë kufirin, më ranë në sy bunkerët që më kujtuan një kohë e cila fatmirësisht nuk ekziston më për vendin tuaj. Në qytetin port të Durrësit më pas vura re se këtu shumë mirë mund të gërshetohen shumë kultura dhe mund të ketë një bashkëpunim të mirë mes tyre. Në Tiranë pastaj, gjej një imazh shumë familjar për mua, që është sheshi kryesor i kryeqytetit të cilin e kemi parë vetëm përmes televizionit. Mendoj se është një simbol i një vendi me shumë problematika, që donte të ndërtonte një mënyrë të re jetese, simbol i një popull trim që sot e gjen kudo dhe që pak nga pak po i kthehet normalitetit. Tani, gjatë këtij udhëtimit tim të tretë në Shqipëri, gjej një kontrast të fortë. Gjej një vend që është i ndarë në opinionet e tij, me një opozitë e cila nuk merr pjesë në Parlament. Nuk kam pasur kohë që të lexoj gjithçka që ndodh këtu, për shkak të aktiviteteve të mia letrare, por dua të shpreh përmes jush si qytetar i ftuar në këtë vend, se ajo që duhet bërë është të gjithë ju duhet të punoni së bashku për ndërtimin e së ardhmes.

Për herë të parë një poet latino-amerikan vjen me një antologji e cila mban titullin “Unë nuk kam shtëpi”... Është një titull që në të vërtetë të shtyn të pyesësh përse nuk e keni një shtëpi dhe kur një njeri më në fund e ndjen se e ka një të tillë?

“Unë nuk kam shtëpi” korrespondon me titullin e njërës prej poemave të mia më emblematike, më të njohura dhe që në të njëjtën kohë është edhe e vetmja poemë të cilën unë e kam shkruar pa iu kthyer asnjëherë pas. Është një poemë që më ka dhënë shumë dhe së cilës i detyrohem shumë. Ajo i përgjigjet realitetit të një vendi të tërë, në këtë rast popullit të El Salvadorit, që u detyrua të largohej jashtë vendit, një largim që nisi prej viteve 1800. Sipas statistikave, një në tre salvadorianë, gjendet jashtë vendit. Mendoj se kjo histori pjesërisht është e ngjashme edhe me historinë e Shqipërisë. Prandaj kur vij në vendin tuaj unë e di që kjo poezi do të kuptohet. Gjithashtu mendoj se kjo poezi është edhe një homazh për të gjithë njerëzit në botë që nuk kanë një shtëpi, por që shtëpia e tyre është pikërisht atdheu. Për mua një shtëpi nuk është vetëm ajo godinë me katër faqet e mureve të saj, por vendi ku ajo është ndërtuar, ajo tokë është shtëpia, prandaj është një poemë universale.

Ju jeni një nga ata të larguarit për të cilët flitet në këtë poemë. Prej vitesh jetoni në Barcelonë. Çfarë ju ka shtyrë ta lini vendin tuaj?

Gjatë viteve ‘70 në El Salvador ndodhën shumë ngjarje të rëndësishme, të cilat e shtynë popullin të niste revoltat e para, që më vonë shkuan në një luftë civile e cila zgjati për rreth 12 vite me radhë. Qeveria salvadoriane nuk ishte e aftë ta menaxhonte këtë situatë që i kishte çuar njerëzit të protestonin nëpër rrugë për të drejtat e tyre, për arsim, shëndetësi etj., të cilat deri në atë kohë ishin dhunuar. Ajo, në vend që të realizonte një plan për rregullimin e situatës, thuri vetëm një plan se si ta shkatërronte këtë lëvizje të popullsisë që kishte ngritur krye. Gjatë viteve të adoleshencës sime, që përkon me mesin e viteve ‘70, unë u bëra pjesë e asaj që u quajt Lëvizja e Kulturës Popullore, që në të njëjtën kohë ishte pjesë e një grupi më të madh akoma që quhej Grupi i Bllokut Popullor. Aty bënin pjesë të gjitha fushat e ndryshme të artit si letërsia, teatri, muzika, poezia, gazetaria etj. Së bashku luftonim që njerëzit të fillonin të mendonin për përmbushjen e nevojave të tyre. Për shkak të kësaj detyre, unë udhëtoja nëpër vend dhe flisja me shumë njerëz, edhe me fshatarë, shumica e të cilëve ishin të krishterë e që nuk i kuptonin ndarjet politike. Ata identifikoheshin vetëm me fjalën dhe mësimet e dhëna nga Krishti, ndaj edhe ne gjetëm një mënyrë të ngjashme për ta çuar fjalën tonë tek ata. Kjo u identifikua me atë që u quajt Lëvizja Teologjike e Librit, që ndau dhe kishën salvadoriane më dysh. Ne filluam që me anë të veprave tona letrare, teatrit e muzikës, t’i bënim njerëzit të kuptonin për çfarë kishin nevojë. Ndaj kur ushtria salvadoriane ndërmori planin për ta shkatërruar këtë lëvizje që po kthehej në një kërcënim, ne që bënim pjesë në Lëvizjen e Kulturës Popullore nuk ishim jashtë këtij plani. Një skuadër, që quhej Ekzekutorët e Vdekjes, erdhi në shtëpinë time në qershor të vitit 1980. Duke qenë se nuk më gjetën, ata vranë babanë dhe motrën time 18-vjeçare. Atë ditë vranë edhe shumë të rinj, të cilët i lidhën me duar pas shpine dhe i hodhën nga një urë. Unë shpëtova, ky ishte edhe fati im. Një pjesë e poemës “Unë nuk kam shtëpi” i kushtohet babit dhe motrës sime, si dhe asaj dite. Flas për ta, por e bëj këtë duke mbajtur distancë si poet, sepse poezia është poezi. Kjo ishte arsyeja që më bëri të largohem prej vendit tim në vitin 1980, një vit tragjik, sepse po atë vit, më 24 mars të 30 viteve më parë, u vra edhe kreu i kishës salvadoriane, Monsinjor Oscar Arnulfo Romero, që konsiderohej zëri i të pazëve në El Salvador. Me qindra mijëra njerëz dalin nëpër rrugë sot, ndoshta edhe në këtë moment që ne bëjmë këtë intervistë (intervista u realizua më 24 mars, shënim i redaksisë) për të kujtuar Monsinjor Romeron. Prezantimin tim në Elbasan ia kam kushtuar pikërisht atij. Pikërisht atë vit unë u largova drejt Meksikës, ku edhe aty disa muaj më vonë bëhem objekt i një tjetër atentati sërish prej Ekzekutorëve të Vdekjes. Për të dytën herë që nga dritarja e shtëpisë shikoj vrasësit e mi. Sërish arrij të arratisem. Menjëherë largohem në Spanjë, ku ende jetoj prej 30 vitesh. Që prej vitit 1992, kohë kur Lufta Civile u shpall e përfunduar, prej qeverisë salvadoriane dhe protestuesve, atëherë nisa t’i kushtohem tërësisht letërsisë dhe punës kulturore në përgjithësi.

Unë do t’ju quaja një poet-luftëtar. Por doja të dija si ndihet një njeri që shikon ballë përballë ekzekutorët e tij dhe që përjeton vdekjen e babait dhe motrës prej dorës së atyre që në të vërtetë ishin nisur për ju?

Herën e parë që erdhën në shtëpi unë mendoj se e kisha idenë që më parë se në një moment do të më vrisnin. Ajo që nuk mendoja kurrë ishte se do vrisnin familjen time. Akoma kujtoj mendimet që më kalonin në mendje kur prej çatisë së shtëpisë shikoja ata njerëz të armatosur dhe dëgjoja britmat e babait dhe motrës sime, të cilët po i vrisnin në sallon. Mendimi që ka kaluar në mendjen time që nga ai moment e që vazhdon të jetojë me mua prej atij momenti, është se do t’ia dedikoja jetën time kujtimit të tyre dhe që nuk do të rresht kurrë së denoncuari ato vrasje. Mendoj se përmes poezisë kam filluar ta bëj, por gjithnjë duke mbajtur distancën e nevojshme. Ndonjëherë gjatë leximeve të mia poetike, nuk flas fare për këtë pjesë të jetës sime, sepse nuk dua që njerëzit të më duartrokasin për mëshirë, por sepse poezia ime u pëlqen.

Jeni kthyer më në El Salvador?
Pas 19 vitesh qëndrimi në Spanjë u ktheva për herë të parë pas largimit në vendin tim. Tani, që nga viti 1999 shkoj dy ose tre herë në vit. Edhe gjatë kësaj kohe u organizua një tjetër atentat ndaj meje. Shpesh kam pasur edhe kërcënime përmes internetit, të cilat kanë të bëjnë me një ekspozitë e cila flet për fenomenin e Organizatës Mara në El Salvador, ku del në pah se si kjo organizatë ka ndër mend ta shfrytëzojë Spanjën për të kaluar më pas në vendet e tjera europiane, për ta ndarë pushtetin me mafiet që mbizotërojnë aty, në trafikun e narkotikëve, prostitucionit, të organeve etj. Kërcënimet e tyre mund edhe të realizohen, ashtu siç ndodhi në rastin vrasjes së fotoreporterit Christian Poveda, pas realizimit të dokumentarit “La vida loca” mbi jetën e Marave në El Salvador. Një njeri mund të përballet në situata të ndryshme, në të cilat i rrezikohet jeta. Por unë them që e rëndësishme është që frika të mos të të paralizojë.

Cilat fenomene ndikojnë më së shumti në krijimtarinë tuaj si poet?

Poezia ime konsiderohet edhe si një poezi e eksperiencës, sepse janë produkt i një eksperience personale. Zakonisht shkruaj për ngjarje që më ndodhin e që kanë të bëjnë me tema si diaspora, lufta, udhëtimet dhe sigurisht me dashurinë. Por kur flas për dashurinë, nuk i referohem vetëm marrëdhënies mes një burri e një gruaje, sepse më intereson dashuria në përgjithësi, por marrëdhënien mes një çifti e përdor pikërisht për këtë lloj dashurie. Nuk ka ndonjë temë të re që nuk është trajtuar më parë, por ajo që ndryshon, sipas meje, është mënyra se si janë trajtuar.

Ju bëni edhe gazetarin?

Jam korrespondent i dy gazetave salvadoriane. Gazetarinë e ushtroj si një ushtrim për t’u qetësuar.

Jo më kot ju pyeta, sepse doja të dija nëse ju ka ngacmuar diçka prej Shqipërisë dhe nëse po, ajo që do të shkruanit për të do të ishte një poezi, apo një artikull?

Unë jam një poet që nxjerr një libër në çdo dhjetë vjet dhe nuk them paraprakisht nëse do të krijoj një poezi, do të shkruaj një roman, apo një artikull, por mund të them që në mendjen time kam filluar ta krijoj një poemë në të cilën them diçka të tillë si: “Ka një vend që ecën/ që godet me forcë diellin për ta zgjuar/kujdes, Shqipëria ecën”.

Planet e së ardhmes?

Disa prej poemave të mia janë zgjedhur si tekste këngësh në Nikaragua për këngëtarë shumë të njohur botërisht. Ata janë Carlos Mejía Godoy, Luis Enrique Mejía Godoy dhe Adrián Gonsueta. Po përgatitet një disk që bashkon këto poezi me muzikën dhe që do të dalë në qershor të këtij viti. Gjithashtu pritet të realizohet një koncert, i cili do të shëtisë nëpër të gjithë vendin e që ndoshta mund të dalim me të edhe jashtë shtetit. Ndër të tjera jemi duke përgatitur edhe një ekspozitë pikture, ku çdo tablo e saj do të jetë e shoqëruar me nga një poemë. Këtë po e realizon një piktor belg, ndërkaq një dirigjente në Amerikë është duke kompozuar një operë frymëzuar prej poezive të mia.

Është kjo një mënyrë e mirë që poezia të shkojë më shpejt te publiku?

Unë mendoj që po. Do të më pëlqente shumë.


*Publicado el 31 de marzo de 2010 en la Gazeta de Albania.